Dy vajza të mitura, 11 dhe 9 vjeç, dyshohet se janë sulmuar seksualisht nga tre persona në Skenderaj.
Lidhur me rastin, Prokuroria Themelore në Mitrovicë të enjten ka dorëzuar në gjykatën kompetente kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj prokurorie, Valon Preteni.
Ndryshe, Policia e Kosovës njoftoi të enjten se rastin në polici e ka paraqitur babai i viktimave.
Sipas raportit policor, ai ka raportuar se një grua ka ftuar në banesën e saj dy vajzat e tij të mitura dhe brenda kanë qenë dy persona të tjerë (të afërm të të dyshuarës, meshkuj), të cilët i kanë ngacmuar me fjalë vajzat e mitura dhe i kanë nxitur të martohen në moshë të re.
Rasti bëhet e ditur se ka ndodhur më 02.09.2022 rreth orës 14:00, në Skenderaj.
“Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se një femër kosovare ka ftuar në banesën e saj dy vajzat e tij të mitura 9 dhe 11 vjeç dhe sipas tyre, aty kanë qenë dy të dyshuar meshkuj kosovarë të afërm të të dyshuarës dhe i kanë ngacmuar me fjalë vajzat e mitura dhe i kanë nxitur të martohen në moshë të re. Tre të dyshuarit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport. /Telegrafi/