Partia Demokratike e ka konsideruar këtë të shtunë dhunën e ushtruar ndaj anëtarit të Kryesisë qendrore të PD, Roland Bejko si një dhunë e mercenarëve të Sali Berishës.
Në një njoftim për mediat, PD thekson se fytyra e Sali Berishës frymëzon dhunë, ushtron dhunë dhe pengon një sekretar të PD të vijë në seli në një mbledhje pune.
“E papranueshme që dhunohet një demokrat i orëve të para, nje demokrat i ndershëm me kontribute 30 vjeçare në këtë parti. Roland Bejko u dhunua sot vetëm se mendon ndryshe nga Sali Berisha, vetëm se nuk i shërben interesit të Sali Berishës, vetëm se ka vendosur ti shërbejë interesit të demokratëve dhe PD”, thuhet në njoftimin për mediat.
Anëtari i Kryesisë së PD-së, Roland Bejko, nuk është lejuar të futet në seli nga mbështetësit e ish-kryeministrit, Sali Berisha.
Këto të fundit kanë tentuar ta godasin dhe kanë penguar futjen e tij në mbledhjen e orës 11:00 të organizuar nga kryedemokrati, Lulzim Basha.
Fill pas kësaj ai është larguar nga selia.
Bejko në deklaratën e tij jashtë selisë theksoi se, “ishte kërcënuar nga mbështetësit e Berishës, por se nuk kishte frikë nga asnjë”.
“Kjo që ndodh tani më ka ndodhur në shkurt të ’91-it. Ishim duke organizuar grevën e studentëve kundër Enver Hoxhës. Kam qenë organizator. Kur po bënim atë grevë, erdhën mbështes të Hoxhës dhe na kanë shkelur me këmbë”, paralelizoi deputeti i PD-së.
Sipas tij, e gjithë kjo situatë është një produkt i Sali Berishës.
Mbështetësit e këtij të fundit kanë vijuar ndjekjen e deputeit edhe kur ai ishte jashtë selisë, duke mos e lënë as që të flasi për mediat.
Bejko u shpreh se e njihte personi që e ka qëlluar.
“Dikur ai ka ngrënë bukë në shtëpinë e time”, tha deputeti duke shtuar se nuk do të ngrejë një kallëzim në Polici. /TCH/