Telegrafi

Sulmoi rojën e moshuar të gjimnazit, prokuroria urdhër-arresti për 40-vjeçarin

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Elbasan, ku një 40-vjeçar ka dhunuar me grushte rojën e moshuar (70 vjeç) të një shkolle 9-vjeçare në sy të nxënësve.

Nga pamjet e siguruara nga Euronews Albania, duket se dhuna e ushtruar ndaj 70-vjeçarit ka qenë tejet brutale dhe e pajustifikuar.

Fillimisht Policia e ka hetuar autorin në gjendje të lirë, ndërsa ditën e sotme Prokuroria e Elbasanit ka nxjerrë urdhër-arresti për të.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, më datë 16.02.2024, në bazë të materialit hetimor të ardhur nga Komisariati i Policisë Elbasan, ka regjistruar procedimi penal nr.298, për veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës”, e kryer në mjediset e institucionit ku personi ushtron detyrën të parashikuar nga neni 237/5 të K.Penal me person nën hetim D.K., i ditëlindjes 1984.

Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Elbasan, me datë 17.02.2024 nga Prokuroria Elbasan është nxjerrë urdhri përkatës, i cili i është ngarkuar për ekzekutimin e ndalimit shërbimet e policisë gjyqësore të Komisariatit të Policisë Elbasan.

Hetimet vijojnë në bashkëpunim me policinë e shtetit”, njofton prokuroria.