Sindikata e Spitalit të Përgjithshëm në Prizren ka njoftuar se në mbrëmjen e 14 marsit gjatë ndërrimit të natës rreth orës 22:00, është sulmuar infermieri i Repartit të Radiologjisë N.S në vendin e punës derisa po ofronte shërbime shëndetësore për pacient.
Përmes një njoftimi për media thuhet se deri tek sulmi ka ardhur pikërisht kur infermieri ka kërkuar të plotësohen të dhënat elementare në udhëzim (emër e mbiemër) ku për prindin e pacientit kjo kërkesë nuk është pranuar dhe e ka sulmuar fzikisht duke i shkaktuar lëndime në njërin sy infermierit N.S.
“Infermieri në fjalë ka një eksperience 30 vjeçare dhe njihet për seriozitetin e tij ndaj profesionit, korrektësinë dhe sjelljen e mirë. Punëtorët shëndetësor në përgjithësi tani janë të ngarkuar dhe të lodhur duke punuar pa ndërprerë në këtë kohë pandemie ku brenda ditës jepen me qindra shërbime spitalore dhe jashtë-spitalore andaj një sjellje e tillë veçse e përkeqëson situatën”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, sipas njoftimit thuhet se këtë sulm e ka dënuar Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës.
“FSSHK-ja dënon rëndë dhunën e ushtruar ndaj punëtorëve Shëndetësorë, dhe kërkon nga instancat më të larta shtetërore që të merren me rastin në fjalë, duke ditur që raste të tilla të turpshme janë bërë të shpeshta të cilat po e fyejnë rëndë identitetin dhe imazhin e punëtorëve shëndetësorë në vend”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Ndërkaq, edhe Oda e Infermierëve, Mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë, ka dënuar ashpër sulmin që ka ndodhur ndaj infermierit të Spitalit Regjional të Prizrenit , më 14.03.2021, derisa ishte në detyrë, në vendin e tyre të punës.
“OIK kërkon nga organet e rendit dhe drejtësisë që të ndërmarrin gjitha veprimet ligjore ndaj sulmuesit të infermierit të Radiologjisë në Spitalin e Prizrenit, të cilit i janë shkaktuar lëndime në njërin sy. Infermieri N.R. njihet si person i përkushtuar në punë kurse sulmi ndaj tij ka ndodhur kur ai ka kërkuar të plotësonte të dhënat elementare në udhëzim, çfarë nuk ishte pranuar nga sulmuesi që njëherit është edhe prind i pacientit. Sulme si këto, ndikojnë direkt në mbarëvajtjen e shërbimeve shëndetësore, derisa janë stafi shëndetësor ata që duke rrezikuar shëndetin e tyre dhe familjarëve të tyre po japin maksimumin, për t’iu dalë në ndihmë pacientëve në kohë pandemie”, thuhet në reagim. /Telegrafi/