Site icon Telegrafi

Sulmohet në veri të Mitrovicës Edita Tahiri (Foto/Video)

Ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, është sulmuar në veri të Mitrovicës teksa po qëndronte në një kafene, pasi mori pjesë në një tryezë ku u diskutua për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Siç mëson gazetametro.net, sulmi ka ndodhur sonte në orët e mbrëmjes dhe është kryer nga grupi i Milan Radoiçiqit, i cili është i dyshuar edhe për djegie të veturave në veri dhe për sulmin ndaj Policisë së Kosovës muaj më parë.

Burime nga veriu sqarojnë se lokali ku po qëndronte ish-ministrja është sulmuar me mjete të forta, me ç’rast është lënduar një person, pasi nga goditjet është thyer edhe xhami i një dritareje.

Edita Tahiri po merrte pjesë në një tryezë së bashku me ish-koordinatorin serb për dialog, Borko Stefanoviq, i cili më pas e ka konfirmuar sulmin ndaj tij.

Ndërkohë, mësohet se sulmi ka qenë i orkestruar dhe largimi i ish-ministres është realizuar me vështirësi pasi, sipas burimeve brenda policisë, disa pjesëtarë serbë të Policisë së Kosovës, kanë refuzuar të intervenojnë./gazetametro/

Exit mobile version