Telegrafi

Sulmohet në Prizren Njësiti për Përcjelljen e të Burgosurve derisa ishte duke e bartur të dënuarin për krime lufte

Në oborrin e Gjykatës Themelore në Prizren është sulmuar vetura e Njësisë për Përcjelljen e të Burgosurve e Burgut të Sigurisë së Lartë.

Telegrafi mëson se i burgosuri që ishte duke u bartur për në burgun e Sigurisë së Lartë është i akuzuari për krime lufte, Darko Tasiq i cili është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prizren.

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se kjo njësi ka qenë duke e bartur një të burgosur me inicialet D.T, ku sipas njoftimit ky sulm  ka ndodhur nga një grup i protestuesve rreth orës 13:50, ndërsa në njoftim po ashtu thuhet se stafi me të burgosurin janë evakuuar nga ana e policisë dhe janë dërguar në brendi të Stacionit Policor pa ndonjë lëndim.

“Sot, rreth orës 13:50 në oborrin e Gjykatës Themelore në Prizren nga një grup protestuesish është sulmuar vetura e Njësisë për Përcjelljen e të Burgosurve e Burgut të Sigurisë së Lartë, e cila po barte të burgosurin, D.T. Stafi me të burgosurin janë evakuuar nga ana e policisë dhe janë dërguar në brendi të Stacionit Policor pa ndonjë lëndim, ndërsa vetura e NJPB-së ka pësuar disa  dëmtime”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.

Lexo po ashtu Dënohet me 22 vite burgim Darko Tasiq, për krime lufte në Krushë të Vogël

Ndaj Tasiq u shqiptua dënimi unik prej 22 vite burgim.

Lidhur me këtë rast, edhe sot qytetarë të Krushës së Vogël kanë protestuar para Gjykatës Themelore në Prizren, ku kanë kërkuar dënim të lartë për të akuzuarin.E pas shpalljes së aktgjykimit ka pasur edhe përleshje në mes të protestuesve dhe zyrtarëve policor, pasi këta të parët kërkon dënim më të lartë për të akuzuarin Tasiq. /Telegrafi/