Telegrafi

Sulmohet me armë gruaja e komandantit të pikës kufitare G1

Vetura e sulmuar të dielën rreth orës 15:00, në qendër të Leposaviqit, sipas burimeve të Kohës Ditore është pronë e bashkëshortes së togerit të policisë së Kosovës, Rade Radosavlevic, i cili njëherësh është edhe komandant në pikën kufitare G 1 në Jarinje të Leposaviqit.

Në këtë sulm të armatosur nuk është lënduar askush, ndërsa dëmet e shkaktuara në veturë janë të mëdha.

Rastin e sulmit ndaj veturës së bashkëshortes së komandantit të pikës kufitare në Jarinje e ka konfirmuar edhe policia në Mitrovicë.

Sipas policisë, një veturë që i përket familjes së një togeri të policisë, është sulmuar me armë zjarri në Leposaviq, të dielën rreth orës 15, por për fat të mirë nuk është lënduar askush. Njësitë përkatëse të policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke e hetuar rastin. Sulmet ndaj serbëve dhe familjarëve të atyre që punojnë në institucionet e Kosovës janë shtuar ditëve të fundit, kanë treguar burimet e gazetës. /Telegrafi/