Trajneri i njohur nga Kosova, që aktualisht drejton skuadrën e KF Llapit, Bylbyl Sokoli, është sulmuar fizikisht nga disa persona .
Rasti ka ndodhur rreth orës 20:30 minuta në rrugën “Hajdar Dushi” në Prishtinë.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 20:30 e kemi pranuar informatën se në rrugën Hajdar Dushi në Prishtinë një person është sulmuar fizikisht nga disa persona të dyshuar. Personi i sulmuar B.S. është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që policia po merret me rastin”, ka thënë zëdhënësja Ahmeti.
Ky sulm ka ardhur pak orë pasi skuadra e tij, KF Llapi, humbi derbin ndaj Prishtinës me rezultat 2-1.
Kjo është humbja e dytë radhazi për Llapin pas asaj ndaj Feronikelit.
Por, përkundër këtyre dy humbjeve, pas nëntë xhirove Llapi renditet i treti me 16 pikë. /Telegrafi/