Telegrafi

Sulmohet fizikisht kameramani i Nacionales në Gjakovë, reagon AGK-ja

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka njoftuar të mërkurën se kameramani i gazetës online “Nacionale”, Arbër Latifi, është sulmuar fizikisht në afërsi të Spitalit të Gjakovës nga pjesëtari i sigurimit të këtij spitali.

Latifi së bashku me gazetaren, Gentiana Hasani, thuhet se kishin shkuar në këtë spital për të raportuar rreth ndërprerjes së të gjitha operacioneve që ishte bërë me arsyetimin e temperaturave të larta.

“Sipas raportimeve të Nacionales, kolegët kanë marrë ndihmë mjekësore dhe gjithashtu ka dhënë deklaratë në Policinë e Kosovës. Njëherësh, bëhet e ditur se pjesëtari i sigurimit që e ka kryer këtë sulm është ndaluar për 48 orë”, thuhet në njoftimin për media.

AGK-ja është shprehur tejet i shqetësuar me sulmin fizik ndaj ekipit të Nacionales, dhe u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë ta trajtojnë me prioritet rastin./Telegrafi/