Telegrafi

Sulmohet fizikisht gazetari Visari Duriqi, dhëmbë dhe hundë të thyer (Pamje të rënda)

Mbrëmë në mesnatë është sulmuar fizikisht gazetari Visar Duriqi, autor i emisionit “Indoks”.

Sulmi fizik ndaj tij është bërë nga tre persona ende të panjohur. Tre persona e kishin pritur gazetarin Duriqi, para hyrjes së banesës së tij.

Ai është sulmuar posa ka dalë nga vetura e tij, ndërsa raportohet se Duriqi ka të thyer dhëmbë dhe hundën.

Në këtë kohë Duriqi kishte qenë duke u kthyer në banesë, pas pjesëmarrjes në debatin televiziv Politico, në Kanal 10.

Gazetari Duriqi ka marrë lëndime dhe është trajtuar mbrëmë në Emergjencën e QKUK-së.

Policia ka dalë në vend ngjarje dhe është duke e hetuar rastin, shkruan Insajderi.org.

Ndryshe, kryeredaktori i gazetës Insajderi Vehbi Kajtazi në një postim në Twitter ka bërë të ditur se Duriqi është sulmuar mbrëmë.

Sipas Kajtazit, ai është sulmuar në hyrje të banesës nga tre persona dhe është lënduar rëndë.