Sot në orët e hershme të mëngjesit është sulmuar me eksploziv dhe është plaçkitur bankomati i TEB Bankës në Rrugën “Nazim Gafurri” afër udhëkryqit të “Taukbahçes”, në Prishtinë.
Burime të Telegrafit bëjnë të ditur se sot, rreth orës 04:00 të mëngjesit grabitësit e kanë sulmuar me eksploziv dhe kanë plaçkitur paratë në bankomatin e TEB Bankës në Prishtinë.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci.
“Më 07.04.2019 rreth orë s 04:00 në Rrugën ‘Nazim Gafurri’-Prishtinë është raportuar rasti vjedhje e bankomatit. Nga informacionet e para dyshohet se 4 persona te dyshuar, kanë depërtuar me forcë në objektin ku ka qenë i vendosur bankomati. Nga kqyrja e vendit të ngjarjes është ngritur dyshimi se te dyshuarit duke përdorur substance shpërthyese kanë arritur që të marrin një sasi të konsiderueshme të parave nga kasaforta e bankomatit dhe më pas janë larguar nga ai lokacion me veturën e tyre”, tha Borovci, për Telegrafin.
Sipas tij, policia ka nisur një hetim lidhur me rrethanat që karakterizojnë ngjarjen me qëllim identifikimin e të dyshuarve si dhe ndriçimin e plotë të rastit.
Ngjitur e bankomatin e TEB-it ka qenë edhe ai i Raiffeisen Bank, por i njëjti kësaj radhe është kursyer nga grabitësit.
Ndryshe, gjatë vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti janë shpeshtuar rastet e grabitjeve të armatosura të bankave dhe institucioneve të ndryshme financuare në Kosovë.
Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, një polic ishte vrarë në detyrë, përderisa po përpiqej të kapte një të dyshuar për grabitje në një bankë në qytetin e Istogut, ku më pas, i vrarë mbeti edhe personi i dyshuar për plaçkitje. /Telegrafi/