Në Zveçan u sulmua sot ekipi i Kohavisionit, i cili ishte duke përcjellur zhvillimet atje.
Vetura ekipit të KTV-së u sulmua me gurë nga një grup i protestuesve.
Të shtëna armësh janë dëgjuar në Zveçan, ndërsa janë djegur vetura të Policisë. Policia e Kosovës ka përdorur gaz lotsjellës për t’i shpërndarë qytetarët e mbledhur para objektit të Komunës së Zveçanit.
Gjatë ditës, Policia e Kosovës ka njoftuar se po asiston kryetarët e zgjedhur për të hyrë në objektet komunale.
Kryetari i Zveçanit, ai i Leposaviqit dhe kryetari i Zubin Potokut, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, kanë kryer betimin të enjten (25 maj). Asnjëri prej tyre nuk është betuar në objektin e komunës përkatëse, përveç kryetarit të veriut të Mitrovicës.
Zgjedhjet në veri janë bojkotuar nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, me mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Kryetarët paraprakë nga kjo parti, kanë dhënë dorëheqje nëntorin e vitit të kaluar. Ata janë larguar nga institucionet në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës që ka obliguar qytetarët t’i kthejnë targat e veturave nga ilegale në ato të Republikës së Kosovës.