Site icon Telegrafi

Sulmohet Alexey Baraboshkin, bashkëpunëtor i opozitarit rus Alexey Navalny

Siç njoftojnë mediet ruse, në rajonin administrativ të Chelyabinsk, persona të panjohur kanë sulmuar koordinatorin e selisë rajonale të Alexey Navalny, Alexey Baraboshkin.

Selia e partisë së Navalnyt, njofton që Baraboshkin, për disa javë me radhë ishte kërcënuar për aktivitetin e tij politik.

Raporti mjekësor thotë që Baraboshkin ka pësuar tronditje të trurit dhe si pasojë e kësaj, për trajtim të mëtejshëm është dërguar në “Qendrën Klinike Rajonale”.

Ditë më parë, pjesëtarë të policisë ruse, kishin shkuar në Qendrën e Navalnyit në rajonin e Kurganit, duke u paraqitur se do të dorëzojnë thirrje nga Zyra e Regrutimit të Regjistrit Ushtarak, për aktivistin, Nikita Ilyin. Pasi që policët kishin refuzuar që të identifikohen, ata nuk ishin lejuar që të futeshin në objektin e partisë. Më vonë gjatë ditës, pasi që Ilyin kishte dalë nga objekti, ai ishte ndaluar nga policia dhe me përdorimin e forcës ishte arrestuar edhe pse ai vetëm se kishte dokumentin e identifikimit ushtarak.

Sulmet ndaj selive të liderit opozitar rus, Alexey Navalny, janë rritur pas helmimit të Navalnyit.

Pas dërgimit të Alexey Navalny për trajtim mjekësor në Gjermani, mjekët gjermanë kishin konstatuar se Navalny ishte helmuar me substancë helmuese nga grupi Novichok.

Helmi nga i njëjti grup, ishte përdorur edhe për të helmuar në Britaninë e Madhe, ish-oficerin e inteligjencës ruse, Sergey Skripal dhe vajzën e tij Yulia.

Në lidhje me Rastin Skripal, janë siguruar shumë dëshmi që personat që kishin helmuar Sergey Skripal, ishin pjesëtarë të shërbimit inteligjent ushtarak rus, të njohur si GRU. /Telegrafi/

Exit mobile version