“Dy roje pylli derisa kishin qenë duke kryer detyrën në malet e fshatit Vesekofc, kishin hasur në disa prerës ilegalë të druve. Sipas pylltarëve, prej një distance të dyshuarit i kishin vërejtur dhe kishin filluar të shtinin ndaj tyre me armë zjarri”, ka konfirmuar të hënën zyrtari për informim publik në Drejtorinë Rajonale të Policisë, togeri Besim Hoti, ndërsa citon Zëri.
Lidhur me këtë rast policia bën të ditur se njësia e hetimeve ka bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes, me ç’rast janë arrestuar katër personat e dyshuar. Policia bën të ditur se në vend të ngjarjes nuk është gjetur kurrfarë dëshmie materiale, edhe pse ankuesit kanë deklaruar se të dyshuarit kanë shtënë me armë ndaj tyre. Me urdhër të prokurorit publik, të dyshuarit janë intervistuar nga njësiti i hetimeve, ndërkaq ndaj tyre është shqiptuar masa e ndalimit policor.
Njësiti i hetimeve ka iniciuar hetime për veprën penale "sulm ndaj personave zyrtarë" dhe "mbajtje dhe shfrytëzim të paautorizuar të armëve".