Telegrafi

Sulmohen fizikisht policët në Gostivar

Janë sulmuar zyrtarë policorë dje në Gostivar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, kumton SPB Tetovë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Njëri sulm është regjistruar rreth orës 11:30 në rrugën “Vëllezërit Gjinovski” dhe tjetri rreth orës 19:00 në udhëkryqin mes rrugëve “Vëllezërit Gjinovski” dhe të ushtrisë. Autorët janë J.I. (21) dhe K.M. (23), të dy nga Gostivari. Ata tashmë janë arrestuar dhe do të ngriten akuza të përshtatshme kundër tyre.

K.M. ka refuzuar të tregojë dokumentet dhe ka rezistuar vazhdimisht, ku gjatë sulmit punonjësit të policisë i ka shkaktuar lëndime, duke ia shqyer edhe uniformën.

Që nga fillimi i këtij viti, katër sulme të tilla janë regjistruar në rajonin e Pollogut, dy në Tetovë dhe dy në Gostivar. Ka pasur edhe 16 raste ku policët janë fyer dhe nënçmuar, shtatë në Tetovë dhe nëntë në Gostivar, ndërsa autorët janë përballur me akuza për kundërvajtje. /Telegrafi/