Site icon Telegrafi

Sulmohen me armë zjarri zyrtarët policorë në Gjakovë

Foto: Ilustrim

Policia në rajonin e Gjakovës ka njoftuar se sot rreth orës 13:30 zyrtarët policorë nga Njësia Kundër Trafikimit me Narkotikë në kuadër të DRP-Gjakovë, përderisa ishin në implementim të planit operativ “Stop drogës në shkolla” janë sulmuar me armë zjarri nga një person i dyshuar.

“Zyrtarët policorë derisa ishin në përcjellje të një personi të dyshuar në rrugën “Nënë Tereza” në afërsi të shkollës fillore “Zekeria Rexha” në Gjakovë, në momentin kur të njëjtit kanë tentuar ta ndalin për kontroll i dyshuari S. Ll. i moshës 20 vjeçare mashkull kosovar/shqiptar ka nxjerrë armën e zjarrit duke shkrepur në drejtim të tyre.

Zyrtarët policorë falë shkathtësive dhe veprimeve të tyre profesionale për ta vënë situatën nën kontroll i janë kundërpërgjigjur me armë zjarri, duke arritur ta lokalizojnë personin e dyshuar dhe më pas të njëjtin ta arrestojnë.

Personit të dyshuar i është konfiskuar arma me të cilën ka kryer veprën”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në këtë shkëmbim zjarri nuk është lënduar asnjë person përveç dëmit material që i është shkaktuar një automjeti.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë përkatëse si dhe prokurori i shtetit. Rasti po hetohet nga Sektori Rajonal për Hetime nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë.

I dyshuari me urdhër të prokurorit mbahet në ndalim policor.

Policia e Kosovës është e përkushtuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe parandalimin e të gjitha akteve kriminale, pavarësisht sfidave me të cilat mund të ballafaqohet. /Telegrafi/

Exit mobile version