Avokati Naim Rudari dhe profesori i kriminalistikës, Mensut Ademi, kanë kritikuar raportin e fundit të misionit të UNMIK-ut, i cili e cilësoi sulmin terrorist në Banjska të ndodhur më 24 shtator 2023 si një “incident”.
Teksa vejmë në pah se Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës të akuzuarit për sulmin në Banjskë ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë. 45 të akuzuarit ngarkohen për veprat penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” si dhe “Shpëlarja e parave”.
Sipas tyre, ky qëndrim i UNMIK-ut është shqetësues dhe përbën një minimizim të ngjarjeve që përfshinë, sulm terrorist dhe përleshje të armatosur mes sulmuesve dhe Policisë së Kosovës, ku u vra polici Afrim Bunjaku.
Në TV Dukagjini, Rudari deklaroi se UNMIK-u ka një histori të qëndrimeve që mbështesin apo justifikojnë veprimet e grupeve kriminale në pjesën veriore të Mitrovicës.
“Nuk kanë pasur të binden nga ne ata janë bindur nga vetë ngjarja që ka ndodhur, pamjet gjithandej dhe rezultat që ka pësuar kjo situatë. Pra ne tani e tutje duhet ta sulmojmë më shumë këtë mendim, këtë opinion që ka dhënë UNMIK-u. Sepse ata që nga momenti stacionohen në pjesën veriore të Mitrovicës, ata gjithherë kanë përkrahur veprime të tilla dhe kanë qenë në anën e kryesve të veprave penale, e në këtë rast në anën e terroristëve. Ne nuk duhet të ndalemi tani edhe juridikisht edhe politikisht që ta dënojmë këtë veprimtari të UNMIK-ut që është gjithnjë në përkrahje dhe stimulim të atyre keqbërësve andej… Mund t’i japin mundësi edhe Serbia, e cila di të kamuflojmë ngjarje dhe situatat, të deklarohet se edhe vetë UNMIK-ut e cilëson si një incident dhe asnjë më shumë. Pra kjo nuk do koment fare dhe është tepër shqetësuese ta dëgjosh nga një institucione siç është UNMIK-u”, ka thënë avokati, Naim Rudari.