Sulmi terrorist në Banjskë vazhdon të jetë një prej temave më të diskutuara jo vetëm në Kosovë, por edhe në tërë rajonin, ku si pasojë humbi jetën një pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe u plagos një tjetër.
Millan Radoiçiq mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë në veri të vendit, kurse prokuroria në Serbi pretendon se Radoiçiq kishte marrë armët nga Bosnja e Hercegovina, përkatësisht nga Tuzla.
E një ekspert serb i sigurisë thotë se një version të tillë nuk e beson, dhe se sipas tij nëse një gjë e tillë është e vërtetë – atëherë nuk ka mundur të bëhen pa dijeninë e shërbimeve serbe të sigurisë.
Është ish-shefi i Agjencisë së Sigurisë Ushtarake të Serbisë, Momir Stojanoviq, i cili gjatë një interviste dhënë për Nova.rs, ka theksuar se dyshon në versionin e ngjarjeve të paraqitura nga prokuroria në Beograd, kinse Radoiçiq i ka siguruar armët për sulmin në Basnjkë nga Tuzla e Bosnjë e Hercegovinës.
“Nuk besoj në një mundësi të tillë sepse distanca hapësinore ndërmjet BeH-së dhe Kosovës është e madhe, edhe nëse ka kaluar përmes Beogradit, nuk ka mundësi të bëhet pa dijeninë e shërbimeve të sigurisë. I dyshuari ka të drejtë të mbrohet, por unë nuk besoj fare në këtë mundësi. Nëse e kam gabim dhe kjo është e saktë, ka vetëm dy mundësi. E para është se do të thotë se sistemi ynë i sigurisë ka dështuar plotësisht, se nuk ekziston. E dyta është se e gjithë kjo është bërë me pëlqimin e shtetit tonë dhe autoriteteve të sigurisë. Nuk ka alternativë të tretë”, tha Stojanoviq, i cili shtoi se ka më shumë gjasa që armët të jenë nga Serbia apo ato të mbetura nga lufta e viteve 90-ta.
Ai thotë se në gjithë këtë çështje vazhdimisht “kapërcehet” një fakt.
“Të gjithë e mbajmë mend kur u shfaq historia për Brigadën e Veriut? Çfarë është Brigada e Veriut? Kush janë këta njerëz? Nuk është e vërtetë se nuk e kemi ditur se disa të rinj në veri të Kosovës po organizohen ushtarakisht. Dhe forcat ndërkombëtare në Kosovë e dinë këtë edhe më mirë se ne. Prandaj, mendoj se është shumë më mirë të tregojmë menjëherë gjithçka që dimë për organizimin ushtarak të serbëve në veri të Kosovës, në mënyrë që autoritetet e Kosovës të mos na lëshojnë herë pas here ndonjë filmim”, shtoi Stojanoviq. /Telegrafi/