Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka reaguar pas sulmit seksual ndaj alpinistes pejane Mrika Nikqi në një rrugë të Pejës.
Muhaxheri, përmes një postimi në Faceboook, tha se dhuna nuk është çështje private, por çështje sociale e politike.
“Mbi të gjitha, [dhuna] është krim i dënueshëm, për të cilin kërkohet reagimi i secilit prej nesh. Mrika Nikqi, ti je sportistja e dalluar, krenaria e qytetit të Pejës dhe mbarë shqiptarisë”, ka shkruar Muhaxheri, transmeton Telegrafi.
Alpinistja Mrika Nikqi ka njoftuar se tri ditë më parë ka qenë viktimë e një sulmi seksual derisa po ecte në një rrugë në qendër të Pejës.
Nikqi, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se “me datë 27. 09.2022, në ora 20.50, në qendër të qytetit te Pejës isha viktimë e sulmit seksual, veprim vandal i cili është kryer me paramendim nga personi F.B, anëtar i një familje të njohur në qytetin e Pejës”.
“Si pasojë e kësaj situate, për momentin jam në gjendje të rëndë emocionale dhe nuk mund të deklarohem në tërësi. Pas vendimit të plotfuqishëm të Gjykatës do të ju njoftoj për rrjedhën e situatës dhe sulmuesin e paskrupullt”, ka shkruar Nikqi, transmeton Telegrafi.
Mësohet se personi që e sulmoi seksualisht alpinisten Nikqi, është 25 vjeçari, Flori Beqiraj.
Edhe Drejtoria Rajonale e Policisё në Pejё ka njoftuar se “me datën 27.09.2022, rreth orës 21:30, ёshtё paraqitur viktima femër kosovare, e cila informon se deri sa ka qenë duke ecur nё rrugën ‘Wesli Clark’ nё Pejё, njё person i panjohur pёr viktimën e ka kapur nga pas dhe e ka mbajtur pa dёshiren e saj, duke e prekur ne pjesё tё ndryshme tё trupit”.
“Viktima ka arritur qё tё largohet nga i dyshuari dhe e njëjta ka ardhur nё Stacionin Policor nё Pejё, e cila deklaron pёr ngjarjen si mё lartё. Policia menjёherё ka marrё tё gjitha masat e nevojshme pёr zbardhjen e kёtij rasti, dhe pas një pune intensive operativo-hetimore, nga hetuesit e Stacionit Policor nё Pejё, sot me datë 30.09.2022, ёshtё identifikuar dhe arrestuar personi i dyshuar F.B. i lindur me 1997”.