Telegrafi

Sulmi me një të vrarë në Top Channel ende pa autor, lirohet ish-dhëndri i rojes Pal Kola

Është liruar ish-dhëndri i Pal Kolës, roja që mbeti i vrarë nga sulmi me armë zjarri në godinën e Top Channel.

Mësohet se Roberto Papçiu është lënë i lirë bashkë me Agustin Tonajn, të dy të arrestuar rreth orës 03:00 në qytetin e Vlorës, dy orë pas ngjarjes së rëndë në godinën e televizionit kombëtar, raporton Politiko.

Lexo po ashtu Policia jep 100 mijë euro për çdo informacion të vlefshëm për sulmin me armë ndaj Top Channel

Gjatë marrjes në pyetje, të dy kanë mohuar përfshirjen në sulmin ndaj Top Channel dhe vrasjen e rojes. Papçiu ka deklaruar para uniformave blu se ka qenë në Vlorë për të blerë një makinë.

Kujtojmë se dyshimet u hodhën mbi marrëdhënien e Papçiut me familjen e Kolës, pasi vajza e viktimës ishte ndarë para dy vitesh nga Papçiu dhe kishin pasur konflikte për kujdestarinë e fëmijës.