Site icon Telegrafi

Sulmi në Vjenë, Ambasada thirrje kosovarëve të qëndrojnë në vende të sigurta

Ambasada e Kosovës në Austri ka reaguar pas sulmit që ka ndodhur sonte me armë zjarri në Vjenë, ku raportohet për shtatë persona të vdekur.

Ambasada e Kosovës në Vjenë lut të gjithë qytetarët kosovarë që të qëndrojnë në vende të sigurta, transmeton Telegrafi.

“Ambasada në Vjenë lut të gjithë qytetarët tanë që ndodhen në Vjenë, Zona Qender (Bezirk 1.) të qëndrojnë në vende të sigurta. Policia austriake njofton se që nga ora 20.15 në Lagjen/ Bezirkun 1. qendër të Vjenës, janë dëgjuar të shtëna dhe ka të plagosur. Autoritetet po punojnë në zbardhjen e rastit”, thuhet në reagim.

Lexo po ashtu Të shtënat në Vjenë të Austrisë, pamje që tregojnë policinë gjatë aksionit për të “neutralizuar sulmuesin”

Ambasada ka publikuar edhe numrin  kontaktues, ku qytetarët mund të telefonojnë në raste emergjente.

“Lusim edhe njëherë të gjithë qytetarët ne Vjenë të qëndrojnë ne vende të sigurta, ne raste emergjente të telefonojnë policinë lokale ne Numrin 133 apo ne numrin emergjent te ambasadës si vijon: +43 676 7861865”, vijon njoftimi.

Ndryshe, policia në Austri ka rrethuar hapësirën afër një sinagoge në kryeqytetin Vjenë, pas njoftimeve për të shtëna me armë.

Policia në Vjenë ka konfirmuar se po i përgjigjet një incidenti të madh në qendër të qytetit dhe u ka kërkuar njerëzve të qëndrojnë larg. /Telegrafi/

Exit mobile version