Telegrafi

Tre të vdekur e disa të lënduar nga të shtënat në Paris

Tre persona humbën jetën dhe katër të tjerë u plagosën pasi një person i armatosur hapi zjarr në lagjen e 10-të të Parisit qendror të premten, tha kryebashkiakja lokale Alexandra Cordebard.

Pamjet në rrjetet sociale tregonin ekipet që dolën në vendin e ngjarjes, transmeton Telegrafi.

“Pas të shtënave dramatike që ndodhën mëngjesin e sotëm, u ktheva në Paris dhe do të shkoj në vendngjarje. Të gjitha mendimet e mia janë me familjet e viktimave. Autori u arrestua”, shkroi në Twitter ministri i Brendshëm francez, Gérald Darmanin.

Të shtënat nuk janë cilësuar si incident terrorist, megjithëse të gjitha janë duke u hetuar.

Të shtënat ndodhën në një qendër të komunitetit kurd, një restorant dhe një dyqan berberi përballë qendrës, shtoi Cordebard.

Sulmuesi i dyshuar është arrestuar. Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau tha se motivi i të armatosurit është i paqartë dhe se një hetim ka nisur.

Beccuau u tha gazetarëve në vendngjarje se sulmuesi i dyshuar kishte qenë i njohur më parë për policinë se dyshohej se ishte përfshirë në dy incidente: një në periferi të Parisit të Seine-Saint-Denis dhe tjetri në një kamp tende migrantësh në Bercy, afër Ministrisë franceze të Financave, në rrethin e 12-të të Parisit.

Më herët u raportua se i dyshuari ishte një 69-vjeçar. /Telegrafi/