Telegrafi

Sulmi në Nice: Shqiptarja rrëfen tmerrin që ka përjetuar

Sulmi në Nice të Francës ka shqetësuar jo pak shqiptarë. Ilirjana Berberi, një shqiptare që ishte e pranishme në bulevardin “Promenade des Anglais”, në momentin e sulmit, rrëfen tmerrin në rrugët e Nices.

“Situata në Nice është shumë e rëndë. Isha bashkë më bashkëshortin duke parë fishekzjarrët dhe po kalonim shumë bukur. Pasi mbaruan, kemi ecur vetëm 50 metra dhe pamë policinë me antiplumb, makinat me sirena që hynë mes turmës. Aty e kuptuam se diçka po ndodhte”, tregoi Berberi momentet e para.

Shqiptarja që ishte një nga dëshmitaret e para të sulmit, thotë se kamioni mori përpara gjithçka kishte.

“Kamioni ishte i madh, ai mori gjithçka doli përpara në trotuar. Njerëzit filluan të bërtisnin, të vraponin… nuk dinim as nga të shkonim”, vijon rrëfimin ajo.

Berberi pranon se në këtë zonë jetojnë shumë shqiptarë, por ende nuk kanë dijeni nëse ndonjë prej tyre mund të ketë pësuar nga kjo ngjarje e rëndë.

“Po, këtu ka shumë shqiptarë, po mundojmë të kontaktojmë sa më shumë për të parë nëse janë mirë”, tha ajo.

Berberi gjithashtu shtoi se të gjithë njerëzit janë mbyllur nëpër restorante apo hotele. “Unë sapo hyra në shtëpi, ndërsa njerëzit e tjerë që kanë ardhur për pushime apo për festën, janë në restorante, lokale apo hotele. Policia nuk i lejon që të lëvizin nga aty”, u shpreh Ilirjana Berberi.