Policia në Mynih ka njoftuar se të paktën 36 persona u lënduan kur një veturë u përplas në një turmë, duke përfshirë një fëmijë, i cili pësoi lëndime të rënda.
Policia tha në një konferencë shtypi të premten se dy nga 36 personat ishin “shumë të lënduar rëndë” në atë që ata tani thonë se po trajtohen si një tentativë vrasjeje, ndërsa tetë të tjerë u konsideruan të lënduar rëndë.
Të tjerët kanë pësuar lëndime të lehta.
Një shtetas afgan, 24-vjeçar, Farhad N, u arrestua pasi oficerët qëlluan me armë zjarri në drejtim të automjetit që e përplasi turmën, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
Në konferencën për shtyp, prokurorja publike Gabriele Tilmann tha se i dyshuari i kishte thënë policisë se “u fut me veturë në turmë qëllimisht”.
“Dhe arsyeja që ai dha mund të përmblidhej si një arsye fetare”, tha ajo, duke shtuar se i dyshuari bërtiti “Allahu Akbar”, ose “Zoti është i madh”, në polici dhe më pas u lut pas arrestimit të tij.
“Megjithatë, ne nuk duam të nxitojmë në ndonjë përfundim”, shtoi prokurorja.
Ajo sqaroi se autoritetet nuk kishin “asnjë arsye të besonin se autori ishte anëtar i ndonjë lloji të organizatës ekstremiste si IS (Shteti Islamik)” dhe se ata nuk kishin gjetur asnjë dëshmi se ai kishte bashkëpunëtorë gjatë sulmit të supozuar.
Tani, prokuroria po shikon nëse njerëz të tjerë e dinin për sulmin para se të ndodhte, apo nëse ai ishte pjesë e ndonjë rrjeti.
Ndryshe, incidenti ndodhi pak para se liderët botërorë, duke përfshirë zëvendëspresidentin e SHBA-së, JD Vance dhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, të mbërrinin në qytetin jugor për Konferencën e Sigurisë në Mynih këtë fundjavë.
Por policia ka thënë se incidenti nuk mendohet të ketë lidhje me konferencën. /Telegrafi/