Një fluturim nga bregdeti në bregdet u devijua për në Denver të mërkurën mbrëma pasi një pasagjer “sulmoi fizikisht një stjuardesë”, njoftoi American Airlines.
Fluturimi 976 nga Aeroporti Ndërkombëtar John F. Kennedy në qytetin e Ney Yorkut për në Santa Ana, Kaliforni, u ul në Denver në mënyrë të sigurtë ku policia “largoi dhe arrestoi pasagjerin”, tha linja ajrore.
Një burim i njohur me detajet e incidentit tha se “sulmi ishte i paprovokuar”, duke shtuar se pasagjerja shkoi në pjesën e pasme të aeroplanit dhe e goditi stjuardesën dy herë në fytyrë dhe i theu hundën, raporton cnn.
Kreu i American Airlines thotë se incidenti i së mërkurës “është një nga shfaqjet më të këqija të sjelljes së padisiplinuar që kemi parë ndonjëherë”.
Në një video deklaratë të publikuar në mediat sociale, CEO i American Airlines, Doug Parker tha se po mbështet stjuardesën e plagosur dhe ndalon burrin e akuzuar për sulm ndaj saj që të fluturojë përsëri në linjën ajrore.
“Kjo nuk mjafton”, tha Parker. “Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar që ai të ndiqet penalisht në masën më të plotë të mundshme”, shtoi ai.
FBI tha se po heton incidentin. Agjencia tha se nuk është bërë asnjë arrestim dhe hetimi i saj është në vazhdim.
Administrata Federale e Aviacionit tha gjithashtu të enjten se do të hetojë incidentin. /Telegrafi/