Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve F.K, G.K, B.K dhe SH.K për shkak të veprës penale vrasje e rëndë në tentativë.
Sipas një njoftimi të gjykatës, të pandehurve F.K, G.K, B.K iu ka caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për secilin veç e veç, duke filluar prej datës 03.11.2020 deri me datë 02.12.2020, ndërsa për të pandehurin SH.K është refuzuar kërkesa për caktim të paraburgimit dhe është liruar që i njëjti të mbrohet në liri.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, në vlerësim të pretendimeve të palëve dhe shkresave të lëndës gjyqtarja e procedurës parapake, gjeti se kërkesa për caktim të paraburgimit është e bazuar në raport me të pandehurit F.G, G.K dhe B.K, ndërsa në raport me të pandehurin SH.K, është refuzuar kërkesa për caktim të paraburgimit, pasi që nga provat nuk është vërtetuar se i njëjti ka kryer veprën penale për të cilën është dyshuar. Të pandehurve F.G, G.K dhe B.K, iu është caktuar masa e paraburgimit, pasi që të njëjtit mund të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe në këtë mënyrë do të jenë të paarritshëm për organet e drejtësisë, mund të pengojnë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitar dhe bashkëpjesëmarrës tjerë, andaj caktimi i masës së paraburgimit për të pandehurit është masë adekuate për sigurimin e pranisë së tyre në procedurë penale”, thuhet në njoftim.
Më tej, në komunikatë thuhet se të pandehurit kanë sulmuar dy zyrtarë policorë derisa sa ishin në kryerjen e detyrave zyrtare.
“Të pandehurit F.G, G.K dhe B.K, dyshohen se me datë 03.11.2020 rreth orës 15:40 deri sa të dëmtuarit N.G dhe E.R të cilët janë zyrtar policor ishin në kryerjen e detyrave zyrtare, në rrugën “Rruga e Pejës” në Fushë Kosovë, afër rrethit gjegjësisht Qebaptores “Graniti” kanë vërejtur parking të parregullt të një veturës dhe të cilit i kishin shqiptuar një tiketë trafiku dhe i kishin kërkuar të largohet dhe tani zyrtarët policor ishin nisur në drejtim të veturës zyrtare, ku me atë rast të pandehurit F.K, B.K, A.K, G.K, SH.K që janë pronar të Qebaptores “Graniti” kishin dal para lokalit dhe të gjithë në bashkëkryerje kishin filluar fillimisht ti fyejnë dhe ti kërcënojnë e më pas me mjete të forta me qëllim të privimit nga jeta, kishin filluar që ti godasin zyrtarët policor duke tentuar që të ju marrin armën dhe pajisjet tjera zyrtare dhe pastaj i kishin goditur në regjionin e kokës dhe në tërë trupin, duke ju shkaktuar lëndime trupore”, thuhet në njoftim.
Palët kanë të drejtën e ankesës kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Telegrafi/