(E plotësuar) Me gjithë paralajmërimet, me gjasë presidenti amerikan Donald Trump nuk do të bëjë një paraqitje televizive, përmes së cilës ai do t’i drejtohej kombit amerikan, pas sulmeve të bazave amerikane në Irak.
Kjo është bërë e ditur nga CNN, pikërisht nga mediumi që paralajmëroi një gjë të tillë.
“Ndihmësit kishin bërë përgatitje për një adresim të mundshëm të kombit pasi Irani gjuajti me raketa forcat amerikane në Irak. Por një zyrtar tani thotë se Trump nuk do të shfaqet para kamerave sonte”, shkruan CNN.
Sulmi ndaj bazave amerikane në Irak, Shtëpia e Bardhë po bën plane që presidenti Trump t’i drejtohet kombit sonte
Ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, po bisedon me këshilltarët e tij të lartë sonte në Shtëpinë e Bardhë, ndihmësit po bëjnë përgatitje urgjente që ai t’i drejtohet kombit pasi Irani qëlloi me raketa forcat amerikane në Irak.
Siç shkruan CNN, përcjell Telegrafi, koha specifike e adresimit të tij është akoma për t’u përcaktuar – dhe mund të vonohet, pasi po mblidhen informacionet – por dy zyrtarë i kanë thënë rrjetit televiziv se po përgatitet një fjalim dhe po bëhen plane që Trump të flasë sonte nga Zyra Ovale.
Ndryshe, mediat kanë raportuar se Irani ka goditur dy baza ajrore amerikane në Irak.
Sulmi vjen pas një premtimi për hakmarrje ndaj SHBA-së, pas vrasjes së komandantit të lartë iranian, gjeneral-lejtnant Qassem Soleimani.
Ndërkohë është raportuar se Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) kanë marrë përgjegjësinë për një sulm me raketa në një bazë ajrore irakiane ku strehohen trupat amerikane.
Këtë e ka konfirmuar edhe Pentagoni duke thënë se Irani ka lansuar raketa në drejtim të forcave ushtarake dhe të koalicionit amerikan në Irak.
Siç bëhet e ditur më tej, edhe presidenti amerikan, Donald Trump u informua për raportet e sulmeve me raketa në një bazë ajrore, ku trupat amerikane janë vendosur në Irak, tha zëdhënësi i tij.
“Ne jemi të vetëdijshëm për raportet e sulmeve në objektet amerikane në Irak. Presidenti është informuar dhe po monitoron nga afër situatën dhe po këshillohet me ekipin e tij të sigurisë kombëtare,” tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham. /Telegrafi/