Televizioni i regjimit në Siri, Al Akhbaria TV, ka publikuar video nga rrënojat e një qendre shkencore – kërkimore, e cila ka qenë një prej objektivave të sulmit të treshes SHBA-Britani-Francë.
Bëhet fjalë për Qendrën siriane për Studime dhe Hulumtime Shkencore, ku siç tha Gjenerali Joseph Dunford, aty testoheshin dhe prodhoheshin teknologji kimike dhe biologjike të luftës.
Zyrtarët e Pentagonit kanë thënë se sulmi me raketa nga anijet dhe aeroplanët me sukses ka përfunduar kur janë shkatërruar laboratorët që prodhonin armët kimike.
Pentagoni ka bërë të ditur se 100 raketa kanë goditur bazën ushtarake në Homs dhe qendrën e laboratorëve në Barzeh, afër Damaskut.
Ndërkaq, Franca mban opsion rikthimin e sulmeve, nëse Siria kalon “vijat e kuqe”
Për Francën, ndërmarrja e veprimeve të reja ushtarake në Siri mbetet opsion, në rast se kalohen vijat e kuqe. Kështu është shprehur të shtunën ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian.
Në një intervistë për CNN-in, Le Drian tha se nuk kishte asnjë dyshim se kishte ndodhur sulm kimik dhe se gjithsesi ishte përdorur klori, në Douma.
Le Drian tha se objektivat e sulmeve në Siri janë përmbushur, derisa shtoi se një pjesë e madhe e arsenalit kimik të Sirisë është shkatërruar.
Të gjithë avionët janë kthyer në mënyrë të sigurt.
Ai shtoi se ka vazhdimi i negociatave me Rusinë është i nevojshëm. Nga ana tjetër, udhëtimi i presidentit francez Emmanuel Macron në Shën Petersburg, në fund të majit, do të vazhdojë siç është planifikuar./Telegrafi/