Kompania kosovare Cybee.ai ka bërë një analizë të situatës pas sulmit të djeshëm kibernetik ndaj faqes së Komisionit Qendror Zgjedhor, ndërkaq duke ri-konstruktuar sulmin në kushte laboratorike, nga kjo kompani kanë treguar se sa kanë qenë të rrezikuar vizitorët të cilët kanë vizituar seksione të caktuara të ueb-faqes së KQZ-së.
Sipas raportit të kompanisë Cybee.ai, më datë 11 shkurt në faqen e KQZ është vendosur një virus i cili ka pasur për qëllim infektimin e vizitorëve të cilët kanë vizituar seksionet e ueb faqes së KQZ-së.
“Virusi kishte për qëllim vjedhjen e informatave konfidenciale si passwordet, mesazhet, fotografitë, etj në pajisje kompjuterike apo pajisje mobile android. Nëse përdoruesi i prekur kishte qasje në burimet biznesore, dëmi mund të shtrihej përtej vjedhjes personale, duke potencialisht ekspozuar të dhëna kritike të biznesit dhe duke shkaktuar shkelje më të mëdha ose humbje financiare.
Ky kërcënim nxjerr në pah se si një vizitë në një ueb faqe mund të komprometojë privatësinë personale, sigurinë organizative dhe madje stabilitetin financiar, duke nënvizuar rëndësinë e masave të forta mbrojtëse. Ende nuk dihet se sa është numri i vizitorëve që i kanë vizituar seksionet e infektuara të portalit të KQZ, megjithatë rreziku ka qenë i lartë”, tha për Telegrafin eksperti i sigurisë kibernetike, Hekuran Doli, bashkëthemelues i kompanisë Cybee.ai.
Ndryshe, një ditë më parë ekspertët e sigurisë kibernetike kanë ngritur shqetësime të mëdha lidhur me sigurinë e faqes zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke raportuar për prani të malware-ve që vjedhin të dhëna, si Lumma.
Doli kishte deklaruar se të paktën një nga sulmet ka qenë i suksesshëm, duke çuar në infektimin e faqes me sisteme false verifikimi CAPTCHA, përmes të cilave është shpërndarë malware që vjedh të dhënat e përdoruesve.
Ai ka deklaruar se të paktën një nga sulmet ka qenë i suksesshëm, duke çuar në infektimin e faqes me sisteme false verifikimi CAPTCHA, përmes të cilave është shpërndarë malware që vjedh të dhënat e përdoruesve.
Detajet tjera mund t’i gjeni në raportin e publikuar në Linkedin nga Cybee.ai. /Telegrafi/