Një grua thotë se i ka mbijetuar edhe sulmeve të Barcelonës, pasi u kap gjithashtu në sulmet terroriste te Ura e Londrës dhe në Paris.
Siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për Julia Monako, 26 vjeçe, e cila ishte duke pirë me shokë, kur një furgon u fut në turmën e afërt, duke vrarë 13 vetë dhe duke plagosur më shumë se 100.
Po siç shkruajnë mediat e huaja, kjo ishte përballja e saj e tretë me terror ndërsa udhëtonte nëpër Evropë këtë vit.
Gruaja e Melburnit u vendos gjithashtu në bllokadë në një tunel, pasi tre njerëz me thika u vërsulën te Ura e Londrës dhe ishte në Notre Dame, ditën kur një oficer i policisë ishte therur jashtë katedrales së famshme.
Zonja Monako tregoi se si ajo ishte mbyllur në një dyqan në Plaça de Catalyuna, në krye të Las Ramblas, pasi terroristët u vërsulën mbi këmbësorët në rrugën e ngarkuar me turistë të enjten.
“Papritmas ne ishim të kyçur në dyqan dhe konfuzioni filloi të shpërndahej në mesin e njerëzve”, tha ajo për stacionin Australian të radios 3AW.
“Ne nuk e pamë furgonin, thjesht mund të shihnim turmën dhe policinë dhe disa njerëz që kishin parë qartë se diçka e tmerrshme po ndodhte”.
Për sulmin e së enjtes në Barcelonë, përgjegjësinë e ka marrë i ashtuquajturi Shteti Islamik.
Ndërkaq, po sipas mediave të huaja, policia ka arrestuar tre të dyshuar, duke përfshirë 28-vjeçarin Driss Oukabir. Ata janë gjithashtu në kërkim të shoferit të furgonit.
Zyrtarët e armatosur gjithashtu qëlluan për vdekje pesë terroristë të dyshuar që mbanin rripa shpërthyes të rremë, ndërsa ata u përpoqën të kryenin një sulm të dytë në vendpushimin bregdetar të Cambrils, 70 milje larg Barcelonës, në orët e hershme të mëngjesit të së premtes. /Telegrafi/