Pas ambulancës dhe një shtëpie, në Kodrën e Minatorëve në veri të Mitrovicës, flaka sot iu vu edhe një barakës-shkollë.
Drejtuesit e këtij institucioni por edhe përfaqësuesit e lagjes, gjithë këtë e shohin si fushatë kundër shqiptarëve që në atë pjesë janë pakicë.
Florent Azemi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës në Mitrovicën Veriore, ka thënë se këto incidente kanë lidhje më njëra-tjetrën.
“Në një vend të vogël si në Mitrovicën Veriore nuk është problem të identifikohen keqbërësit. Ne nuk mund të themi se kush, pasi këtë përgjegjësi e kanë institucionet . Këta të rinj janë të instrumentalizuar. Janë të rinj që gjithë natën rrinë rrugëve”, tha Azemi në Orën e Fundit të Klan Kosovës.
Ai tutje ka thënë se në pjesën veriore që tri vjet jeta është pasivizuar dhe kjo pjesë e vendit nuk ka mbikëqyrje institucionale.
“Këto incidente nuk duhet të ndalin punimet në Urën e Ibrit. Dihet se në të kaluarën nga këto incidente edhe ka eskaluar situate. Barra ma e madh për këto incidente i shkon Isa Mustafës, i cili për asnjë moment nuk gjeti kohë të na vizitojë në Veri”, tha ai.
Azemi kritika nuk ka pasur edhe për Veselin e Thaçin duke thënë se Veseli është i pranishëm tek ta, ndërsa Thaçi i kishte vizituar në të kaluarën kur mbante postin e kryeministrit. /Klan Kosova/