Site icon Telegrafi

Sulmet ndaj rebelëve Houthi, Kosova rreshtohet përkrah SHBA-së e Britanisë

Ministria e Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka dalë në mbështetje të partnerëve të saj ndërkombëtarë, pasi SHBA dhe Britania e Madhe ndërmorën sulme ndaj një numri objektivash të rebelëve Houthi në Jemen, të cilët po rrezikojnë stabilitetin në Lindjen e Mesme duke sulmuar anijet ndërkombëtare.

Në reagimin e saj, ministrja e Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla tha se veprimet ushtarake të drejtuara nga SHBA në Lindjen e Mesme, kanë synim ruajtjen e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe këto veprime rezultuan të domosdoshme pas shtimit të sulmeve kundër paqes dhe stabilitetit.

“Armiqtë e paqes, stabilitetit, sigurisë, demokracisë, rendit botëror dhe civilizimit janë armiq të të gjithëve. Vetëm së bashku mund të arrijmë që t’i mundim e të krijojmë një botë të qëndrueshme, e cila prioritet ka paqen, bashkëjetesën, tolerancën dhe përparimin në një botë, gjithnjë e më të globalizuar.

Republika e Kosovës, si një vend thellësisht demokratik, rreshtohet qartë në krahë të partnerëve të saj strategjikë, në përpjekjet e përbashkëta për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në botë”, ka thënë ministrja Gërvalla.

SHBA dhe Britania e Madhe ndërmorën sulme të enjten mbrëma, me mbështetjen e Kanadasë, Holandës, Australisë dhe Bahrejnit, veprim ky i cili mori përkrahjen edhe të vetë NATO-s.

Aleanca Veri-Atlantike tha të premten se Irani ka një përgjegjësi të veçantë në përfundimin e sulmeve Houthi, duke i quajtur sulmet e kryera nga SHBA dhe Britania e Madhe mbrojtëse.

Sulmi vjen si përgjigje ndaj goditjeve të vazhdueshme me dronë dhe raketa nga grupi jemenas, i cili mbështetet nga Irani, në linjat ndërkombëtare të anijeve në Detin e Kuq që filluan në nëntor në përgjigje të luftës së Izraelit në Gaza.

Deti i Kuq është një rrugë ujore kritike për tregtinë ndërkombëtare, veçanërisht për dërgesat e naftës dhe karburantit, duke lidhur kanalin e Suezit në Egjipt me Gjirin e Adenit nëpërmjet ngushticës Bab al-Mandab. Sipas ushtrisë amerikane, Houthi-t kanë kryer 27 sulme në Detin e Kuq qe nga 19 nëntori. /Telegrafi/

Exit mobile version