Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, që mbulon politikën amerikane për Ballkanin Perëndimor, ka folir mbi marrëdhëniet me Shqipërisë dhe SHBA dhe gjendjen e demokracisë në Shqipëri.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Escobar u pyet edhe rreth qëndrimeve të mbajtura së fundmi nga kryeministri Edi Rama , i cili tha ndër të tjera se “disa ambasadorë të huaj ndihen në gjykatat tona si në shtëpitë e tyre dhe kanë luksin të ndajnë publikisht pëlqimin, ose mospëlqimin e tyre me vendimet e gjykatave”, duke iu referuar, edhe pse jo hapur, ambasadores Yuri Kim.
Zyrtari i lartë amerikan tha se puna që bën ambasadorja Kim në vendin tonë, është shumë përfituese për Shqipërinë dhe se ajo është personi kryesor për marrëdhëniet dypalëshe.
“Ajo që bën ambasadorja jonë atje është shumë përfituese për Shqipërinë. Ajo është personi kryesor për marrëdhëniet dypalëshe. Gjithçka që ajo bën, është në bashkëpunim shumë të ngushtë me Departamentin e Shtetit. Këto nuk janë qëndrime individuale, janë qëndrime institucionale”.
“Dhe duhet të theksoj se çështjet e korrupsionit, çështjet e krimit të organizuar, kanë prekur gjithë rajonin, jo vetëm Shqipërinë, pra është e rëndësishme që të bashkëpunojmë për t’iu kundërvënë këtyre kërcënimeve”, tha Escobar.