Site icon Telegrafi

Sulmet e dhunshme tronditin Francën përpara raundit të tensionuar të zgjedhjeve

Një numër në rritje i kandidatëve dhe aktivistëve në Francë janë shënjestruar nga sulmet e dhunshme ose verbale në prag të raundit të tensionuar të zgjedhjeve parlamentare.

Zëdhënësja e qeverisë, Prisca Thevenot, dhe një aktivist i partisë në Meudon, në jugperëndim të Parisit, janë sulmuar brutalisht nga një grup i të rinjve.

Aktivistë të tjerë elektoral janë sulmuar në të gjithë Francën, duke reflektuar gjendjen në Francë me Frontin Kombëtar të ekstremit të djathtë që është kandidati kryesor në zgjedhje.

Edhe pse motivi i sulmit ndaj Thevenot dhe kolegëve të saj nuk është i qartë, ai u dënua nga kryeministri francez, Gabriel Attal, i cili i cilësoi këto lloje të sulmeve si “të patolerueshme”.

Attal u bëri thirrje njerëzve “të refuzojnë klimën e dhunës dhe urrejtjes që po përhapet”, ndërsa udhëheqësi i Frontit Kombëtar, Jordan Bardella, tha se një nga angazhimet e tij të mëdha nëse zgjidhet kryeministër, do të jetë “luftimi i pasigurisë”.

Ndërkohë, Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin, ka njoftuar se 30 mijë policë do të vendosen në të gjithë Francën gjatë votimit të 6 korrikut, në një përpjekje për të parandaluar “ultra të majtën ose të djathtën”, që të nxisin telashe.

Por, në shënjestër janë edhe kandidatët e Frontit Kombëtar, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Hulumtim i opinionit publik në Francë: Ekstremi i djathtë i Le Penit nuk do të fitojë shumicën në parlament

Marie Dauchy përshkroi se ishte “sulmuar dhunshëm”, teksa bënte fushatë në një treg në La Rochette pranë Grenoble.

Pasi fitoi 33.2 për qind të votave në raundin e parë të zgjedhjeve, partia e Bardellas tani synon të fitojë një shumicë absolute në Asamblenë Kombëtare me 577 vende.

Kundërshtarët e tij politikë kanë rënë dakord të bëjnë gjithçka që munden për të bllokuar të djathtën ekstreme nga fitimi i vendeve të mjaftueshme për të formuar një qeveri.

Sondazhi i fundit i Ifop sugjeron se Fronti Kombëtar do të fitojë 210-240 vende, nga 289 sa io nevojiten për të formuar një qeveri.

Megjithatë, ekziston frika midis disa pakicave franceze se çfarë mund të bëjë Fronti Kombëtar nëse vjen në pushtet.

Ai synon t’u japë qytetarëve francezë “preferencë kombëtare” ndaj emigrantëve për punë dhe strehim dhe të heqë të drejtën e nënshtetësisë franceze automatike për fëmijët e prindërve të huaj, nëse ata fëmijë kanë kaluar pesë vjet në Francë nga mosha 11 deri në 18 vjeç.

Qytetarët me nënshtetësi të dyfishtë do të ndalohen gjithashtu nga dhjetëra punë të ndjeshme. /Telegrafi/

Exit mobile version