Damasku mban përgjegjësi të plotë për sulmin me raketa të SHBA-ve në një bazë ajrore të forcave të armatosura siriane, ka thënë sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
“Pas sulmeve të tmerrshme të armëve kimike të kësaj jave në Khan Shaykhun, nga të cilat u vranë dhjetëra njerëz, duke përfshirë shumë fëmijë, Shtetet e Bashkuara nisën një sulm ndaj aeroportit Shayrat në Siri. Regjimi sirian mban përgjegjësi të plotë për këtë zhvillim”, ka thënë Stoltenberg në një deklaratë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Ai theksoi se çdo përdorim i armëve kimike është i papranueshëm dhe bëri thirrje për llogaridhënie.
“NATO mbështet të gjitha përpjekjet ndërkombëtare që synojnë arritjen e paqes dhe një zgjidhje politike në Siri”, shtoi shefi i NATO-s. /Telegrafi/