Site icon Telegrafi

Sulm vetvrasës në Jemen, vriten së paku 30 ushtarë

Në Jemen raportohet se një sulmues vetvrasës e ka shpërthyer një xhaketë të mbushur me eksploziv në qytetin jugor port të Adenit, duke vrarë së paku 30 ushtarë dhe lënduar shumë të tjerë.

Zyrtarët thonë se sulmi i 18 dhjetorit e ka pasur cak një turmë me ushtarë që kanë qenë duke pritur në rend për të marrë rrogat, në afërsi të bazës ushtarake, Al Sawlaban.

Asnjë grup deri më tash nuk e ka marrë përgjegjësinë, mirëpo ky rast ndodhi tetë ditë prej një sulmi të ngjajshëm me bombë ndaj një baze i kryer nga grupi militant, Shteti Islamik.

Në këtë sulm janë vrarë 48 ushtarë.

Qyteti Aden kontrollohet nga grupe besnike ndaj qeverisë së njohur ndërkombëtarisht të presidentit, Abu Rabbu Mansu Hadi.

Ato e kanë përkrahjen e sulmeve ajrore të Arabisë Saudite, në luftën kundër rebelëve Huthi dhe aleatëve të tyre, të cilët e kontrollojnë kryeqytetin, Sana dhe pjesën më të madhe të Jemenit veriperëndimor.

Konflikti në mes të qeverisë së presidentit Hadi dhe rebelëve shiit që deri më tash ka marrë jetën e 7 mijë njerëzve dhe ka zhvendosur mbi 3 milionë të tjerë është shfrytëzuar nga Al Kaida dhe Shteti Islamik për të rritur praninë e tyre në këtë shtet.

Exit mobile version