Një sulmues vetëvrasës ka shpërthyer eksplozivët e tij në një xhami në Pakistan, duke vrarë të paktën 24 vetë, përfshirë këtu edhe fëmijë.
Sulmi ka ndodhur gjatë lutjeve të së premtes në xhamin në qarkun Mohmand në veriperëndim të Pakistanit, që është njëri prej shtatë qarqeve fisnore përgjatë kufirit me Afganistanin.
Nga ky sulm në fshatin Pai Khan janë lënduar edhe të paktën 28 persona. Kur ndodhi sulmi vetëvrasës, rreth 200 besimtarë ishin në xhami duke u falur.
Zëdhënësi i Jamaat-ul-Ahrar- një fraksion i shkëputur i talibënëve- ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.
Përmes një emaili, ky grup ka thënë se sulmuesi, i cili ka bërtitur “Zoti është i Madh”, teksa ka hyrë në xhami, është hakmarrë për një sulm të vitit 2009, ku janë vrarë 13 pjesëtarë të këtij grupi.
Kryeministri i Pakistanit, Nawaz Sharif ka dënuar këtë sulm dhe ka thënë se“sulmet qyqare të terroristëve nuk mund të thyejnë vendosmërinë e qeverisë për të zhdukur terrorizmin nga vendi”.
Shtëpia e Bardhë po ashtu ka dënuar këtë sulm duke thënë se ky sulm është “një kujtesë e tmerrshme se terrorizmi kërcënon të gjitha vendet në rajon”, dhe ka inkurajuar Islamabadin që të vazhdojë luftën kundër terrorizmit.