Së paku 17 njerëz u vranë nga shpërthimi i makinës-bombë në provincën Logar të Afganistanit.
Shpërthimi ndodhi para se të niste armëpushimi i shpallur nga talibanët për festën e Bajramit.
Talibanët e mohuan përgjegjësinë për sulmin, ndërsa grupi militant Shteti Islamik nuk lëshoi ndonjë deklaratë.
Sulmi besohet se u krye nga një sulmues vetëvrasës, tha zëdhënësi i guvernatorit të provincës Logar, Dedar Lavang.
Sulmi ndodhi pranë zyrës së guvernatorit, ndërsa përreth kishte njerëz që bënin pazare për Bajram.
“Terroristët sulmuan edhe një herë në natën e Bajramit dhe vranë disa njerëz tanë”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të Afganistanit, Tariq Arian.
Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, tha se sulmi “nuk ka të bëjë asgjë me grupin e tij”.
Siç njofton Rel, talibanët dhe Qeveria afgane ranë dakord për një armëpushim treditor, duke filluar nga e premtja – dita e parë e Bajramit.
Ekzistojnë shpresa edhe për një armëpushim të përhershëm, por bisedimet për paqe janë shtyrë, për shkak të shkëmbimit të të burgosurve.