Nga goditja e një kamioni në grupin e ushtarëve të Izraelit, që po zbritnin nga një autobus në Jerusalem, janë vrarë katër vetë dhe plagosur 15 të tjerë, kanë thënë policia e Izraelit dhe ekipet e shpëtimit.
Zëdhënësja e policisë, Luba Samri, tha se kamioni kishte dalur nga rruga dhe e ka goditur grupin, ndërsa sulmuesi është vrarë.
Kjo goditje ndodhi në periudhën më të gjatë se një vit të valës së të shtënave nga palestinezët, therrjet me thikë dhe sulme me automjete kundër izraelitëve. Sulmi i sotëm shënon vrasjen e parë të izraelitëve në tre muajt e fundit, transmeton REL.
Prej shtatorit të vitit 2015, sulmuesit palestinezë i kanë vrarë më tepër se 40 izraelitë dhe dy turistë amerikanë. Gjatë kësaj periudhe, 229 palestinezë janë vrarë nga të shtënat e izraelitëve. Izraeli thotë se shumica e palestinezëve të vrarë ishin sulmues, ndërsa të tjerët janë vrarë gjatë përleshjeve.
Izraeli thotë se dhuna është nxitur nga palestinezët, ndërsa palestinezët thonë se kjo është pasojë e okupimit pothuajse 50 vjeçar të Izraelit dhe për shkak të zvogëlimit të shpresave për shtet të pavarur.