Telegrafi

“Sulltanit” nuk i duhen tre sekretarë!

Sylejman Selimi i njohur si komandant “Sulltani” gjatë kohës së luftës, pa pritur e kujtuar është bërë vetë i shtati. Atij muajin e fundit i janë bashkangjitur edhe dy sekretarë të rinj përveç një sekretare në ambasadë që ka qenë më herët. Përveç sekretares së parë, sekretarit të dytë e atij të tretë, ai në ambasadë i ka edhe dy këshilltarë dhe një këshilltar ministër, shkruan “Zëri”.

Sylejman Selimi as vetë nuk e di se çfarë i duhet tërë ky staf diplomatik. Por thotë se vetë nuk e ka zgjedhur asnjë. Që të gjithë i kanë ardhur me vendim të ministrit, Enver Hoxhaj. Ky i fundit duket se qëllimisht në këtë ambasadë i ka rehatuar jaranët, motrat e tyre dhe kunatat e jaranëve.

Madje në Tiranë “Sulltanit” i kanë shkuar “diplomatë” që ai nuk e ka idenë se ku kanë punuar, me çfarë janë marrë, e po ashtu a kanë kaluar apo jo ndonjë konkurs përzgjedhës.

“Vetëm ka ardhur tek dera e ambasadës e më ka thënë se unë jam emëruar në cilësinë e sekretarit të dytë”, përshkruan ambasadori Selimi shkuarjen në ambasadë të sekretarit të dytë Adnan Jakupi.

Për Jakupin ambasadori nuk e ka asnjë informacion nëse i njëjti ka punuar ndonjëherë, e madje sipas informatave të tij, ai as nuk ka kaluar nëpër konkurset e organizuara nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Të vetmen gjë që ambasadori e di për sekretarin e dytë të ambasadës që drejton është se Adnan Jakupi është vëllai i këngëtares, Leonora Jakupi. /Telegrafi/