Site icon Telegrafi

Sullivan: SHBA do t’i përgjigjet sulmit të mundshëm iranian

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, dënoi sot ashpër Teheranin për vendosjen e sanksioneve ndaj zyrtarëve amerikanë dhe tha se Shtetet e Bashkuara do t’i përgjigjen një sulmi të mundshëm nga Irani.

“Ndërsa milicia iraniane vazhdon të sulmojë trupat amerikane në Lindjen e Mesme, zyrtarët iranianë po kërcënojnë të kryejnë operacione terroriste në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën. Një gjë është e sigurt: Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë qytetarët e tyre”, tha Sullivan, raporton Times of Israel.

Ai tha se kjo përfshin mbrojtjen e qytetarëve që punojnë për shërbimet amerikane, si dhe për ata që janë pensionuar nga shërbimi.

“Ne amerikanët kemi mosmarrëveshje për disa çështje politike. Ne gjithashtu nuk pajtohemi për politikën ndaj Iranit. Por ne jemi të bashkuar për t’iu përgjigjur kërcënimeve dhe provokimeve. Ne jemi të bashkuar për të mbrojtur popullin tonë”, shtoi Sullivan.

Sullivan theksoi se Shtetet e Bashkuara do të punojnë me aleatët dhe partnerët për të eliminuar dhe për t’iu përgjigjur çdo sulmi të kryer nga Irani.

“Nëse Irani sulmon ndonjë nga qytetarët tanë, duke përfshirë 52 persona që u sanksionuan të shtunën, Teherani do të përballet me pasoja të rënda”, tha ai. /kp/Telegrafi/

Exit mobile version