Site icon Telegrafi

Suksesshëm UBT përmbyll edicionin e njëmbëdhjetë të Konferencës Ndërkombëtare për Shkencë, Teknologji, Biznes dhe Inovacion

Ka përmbyllur suksesshëm edicionin e njëmbëdhjetë Konferenca Ndërkombëtare për Shkencë, Teknologji, Biznes dhe Inovacion në UBT, e cila përfshiu 23 konferenca për programe dhe fusha të ndryshme, të cilat bën bashkë studiues, profesorë vendorë dhe ndërkombëtare, si dhe studentë të shumtë.

Si pikëtakim të vetëm Prishtinën dhe Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, studiues dhe profesionistë nga vendi, rajoni, Evropa dhe bota, prezantuan dhe trajtuan punime të ndryshme shkencore, që kishin të bënin me tema tejet interesante, duke i dhënë fokus të veçantë teknologjisë, inovacionit, shkencës, biznesit e mjekësisë.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, me rastin e përmbylljes së këtij organizimi shkencor, ka thënë se punës shkencore duhet të vazhdohet t’i jepet rëndësi, njëjtë siç po i jep UBT çdo vit duke organizuar konferenca të tilla.

“Jemi shumë të lumtur që po përmbyllim suksesshëm Konferencën Ndërkombëtare për Shkencë, Teknologji, Biznes dhe Inovacion, edicion ky i njëmbëdhjeti me radhë që po organizojmë si UBT. Ndjehemi krenar që kemi bërë bashkë në një vend të vetëm më shumë se 1300 pjesëmarrës dhe kemi mbledhur më shumë se 600 punime shkencore këtë vit, duke dëshmuar fuqishëm se shkenca është e domosdoshme dhe si e tillë bashkëpunimi mes shkencëtarëve dhe ekspertëve është shumë i nevojshëm”, ka thënë rektori Hajrizi.

Në këtë vit, kjo konferencë u karakterizua me pjesëmarrjen e shumë profesorëve ndërkombëtarë, në më shumë se 70 sesione me mbi 90% pjesëmarrje të arritur, të cilët prezantuan punime shkencore, si dhe kontribuuan në mendime dhe ide inovative për çështje të ndryshme rreth fushave të caktuara, duke i dhënë një ngjyrë unike edicionit të njëmbëdhjetë të Konferencës Ndërkombëtare të UBT-së.

Kjo konferencë dëshmon se UBT në mënyrë të vazhdueshme kontribuon në zhvillimin e shkencës në Kosovë, përmes hulumtimeve të ndryshme shkencore nga ekspertë dhe profesionistë ndërkombëtarë që prezantojnë në Konferencën e UBT-së, për tematika dhe probleme që ndërlidhen edhe me jetën e qytetarëve të Kosovës.

Exit mobile version