Telegrafi

Sukses i merituar i korit të Fakultetit të Arteve nga Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë

Ditë më parë u zhvillua në Kishën Romane të Shën Crisogono-sit, martiri kristian i shekullit IV e.j. dhe mbrojtës i qytetit të Zaras (Kroacisë), edicioni i trembëdhjetë i “Konkursit Ndërkombëtar të Koreve” (25–28.05.2023)

Shkruan: Edmond Buharaja

Aktiviteti, i cili mbahet çdo dy vite, parashikonte tre kategori pjesëmarrësish: kore mikse, kore mashkullore ose femërore dhe ensembles vokale. Në kategorinë e parë u parazgjodhën njëmbëdhjetë syresh që vinin jo vetëm nga gadishulli i Europës Jug-Lindore, më konkretisht: Kroacia (e cila prezantohej madje me katër institucione), Bosnia-Herzegovina, Slovenia dhe Kosova (me nga një institucion) — apo nga Evropa Lindore si Republika Çeke e Bjellorusia, por edhe nga Kontinenti Afrikan me koret e Kinshasas (Kongo) dhe të Luanda-s (Angola). Në këtë kuadër, pjesëmarrja e korit miks të Fakultetit të Arteve, pranë Universitetit “Haxhi Zeka” të Pejës, përftoi një peshë të posaçme, aq më tepër duke parë se u vlerësua me çmimin e tretë.

Kriteret e konkurrimit parashikonin ekzekutime veprash korale duke nisur nga shekulli XVI (mundësisht edhe më të hershme) e deri tek ato të ditëve tona, nga kompozitorët vendas kroatë tek ata kombëtarë për secilin kor apo të huaj, e këto në gjini të ndryshme. Me këto premisa, përzgjedhja e programit nuk ishte edhe aq e lehtë. Drejtuesi i korit të Universitetit “Haxhi Zeka”, Prof. Asoc. Hysen Nimani, njëkohësisht edhe dekan i Fakultetit të Arteve, ka treguar vëmendjen e duhur.

Në rend kronologjik, programi niste me kompozitorin më të rëndësishëm të Rilindjes spanjolle Tomás Luis de Victoria (c. 1548–1611), i cili qëndron denjësisht përkrah emrave më të mëdhej të artit të kohës si Giovanni Pierluigi nga Palestrina apo Orlando Lassus. Moteti për katër zëra O Magnum Mysterium (O misteri më i madh i përfshirë tek Motetca, Venezia, 1752), si tërë krijimtaria e de Victoria-s, mban brenda misticizmin dhe besimin, pasionin spanjoll dhe personalitetin e spikatur të krijuesit të saj. Melodia dhe teksti hasen që tek Breviarium Romanum (Përmbledhja Romane), libri liturgjik i Ritit Katolik i cili u bë i detyrueshëm përgjatë Kundër-reformës. Monodia e këtij cantus firmus-i është përshtatur për formacion koral nga shumë kompozitorë me peshë, por tek de Victoria ajo mori një përmasë të veçantë pasi u përdor edhe si bazë për një meshë të plotë. Në diçka më shumë se katër minuta, këndimi nis me sopranon, të cilës i bashkohen shpejt alti. Ndërhyrja e zërave mashkullorë dhe kompleksiteti harmonik janë pjesë e retorikës muzikore në shërbim të nënvizimit të misterit të besimit.

Kompozitori, poeti e shkrimtari arbëresh i Zara-s, Šime Dešpalj (Shime Deshpal, 1897–1981) u formua muzikalisht në mjedisin franceskan. Pjesë e krijimtarisë muzikore të tij është edhe opera Vana me temë nga historia e popullit të cilit i përket. Në koncert ai u paraqit me veprën korale Lenës, e shquar për frymën romantike dhe melodinë e këndshme.

Kompozitori afro-amerikan dhe pjesëtar i korit të ish-Institutit (sot Universitetit) të Tuskegee-s, William Levi Dawson (1899–1990), u bë i njohur për publikun e gjerë kur Negro Folk Symphony (Simfonia Folklorike Negro, 1934, rishikuar në 1952-shin) e tij u ekzekutua në premierë nga Orkestra e Philadelfia-s nën drejtimin e Leopold Stokowski-t. E të njëjtit vit është edhe Soon Ah Will Be Done (Ah, shpejt do të bëhet, 1934) me tekst të vetë kompozitorit. Endja e korit a cappella, si trajtë karakterizuese e spiritualeve afrikane, arrin të marrë këtu përmasat e një këndimi të vërtetë e të mirfilltë polifonik.

Pjesë e programit ishte edhe kompozitori Rexho Mulliqi (1923–1982) apo Mullaj siç firmoste në të shumtën e rasteve, i cili, bashkë me Lorenc Antonin (1909–1991), mbetet ndër themeluesit e kulturës muzikore të shqiptarëve të përfshirë në ish-Jugosllavinë. Nga krijimtaria e Mulliqit u zgjodh kënga Një lule, e paraqitur në versionin origjinal me shoqërim orkestral nga zëri i jashtëzakonshëm i Nexhmije Pagarushës. Në koncert, pjesa vokaleve e përpunuar për soprano e kor nga kompozitori dhe dirigjenti Rafet Rudit, u interpretua në mënyrë mjeshtrore nga soprano Adelina Paloja, tashmë Prof. Ass. e stafit akademik të Universitetit të Pejës.

Midis emrave të krijuesve, ishte edhe ai i dirigjentit dhe kompozitorit kroat Vlado Sunko (lindur më 1954). Krahas aktivitetit të gjerë në fushën pedagogjike, ai shquhet posaçërisht për krijimtarinë korale. Pjesa e përzgjedhur me këtë rast ishte Zdravo Marijo (Përshëndetje Maria, 1992) e frymëzuar, me shumë gjasa, nga Ave Maria (1825) e Franz Schubert-it (1797–1828). Koralja fillon me shtrimin e partit të sopranos së parë, të cilës i përgjigjen në formë repsonsoriale soprano e dytë me altin. Në vijim të tre zërat vijojnë paralelisht duke krijuar shtresëzime harmonike të pasura.

Nga kori i Fakultetit të Arteve ishin përzgjedhur si pjesëmarrës në këtë konkurrim ndërkombëtar 43 studentë të cilët po profilizohen në drejtime të ndryshme të artit të tingullit. Pjesa më e madhe e tyre nuk janë të degës së këndimit, por kjo nuk i pengoi ata që, nën drejtimin e dirigjentit Nimani dhe me pasion e punë të pareshtur, të prezantohen denjësisht aq sa të vlerësohen me Çmimin e Tretë në këtë ngjarje të rëndësishme për kulturën korale. Shkruhet në këtë mënyrë një pjesë e historisë së arritjeve të Universitetit të Pejës e cila do të shërbejë si themel nga ku do të synohen nivele edhe më të larta. Kush ka ndjekur veprimtarinë e këtij formacioni, nuk ka mundur të mos ndjejë përkushtimin e gjithë trupës për t’u ngritur deri këtu. Ata meritojnë të përkrahen me të gjitha format dhe mënyrat që rrugëtimi i tyre të jetë sa më i gjatë e sa më suksesshëm, e pse jo, të mendohet që tani që edhe Peja të ketë një formacion koral profesionist, duke themeluar në këtë mënyrë një tjetër pol kulturor për shqiptarët e Kosovës.

Për vlerën e posaçme të çmimit të fituar, flasin edhe emrat e anëtarëve të jurisë vlerësuese, të gjithë individë të spikatur të kulturës muzikore evropiane. Ajo kryesohej nga Prof.sa Jasenka Ostojić, e sapo emëruar prorektore e Universitetit të Zagrebit, me një eksperiencë të gjatë si drejtuese koresh edhe pranë Universitetit të Sarajevës, lektore vizituese në disa vende (Poloni, Austri, Sloveni, Serbi, Bosnie-Herzegovinë e ShBA) dhe me koncerte në vende të ndryshme evropiane. Anëtarët e tjerë ishin: Prof.sa Antoaneta Radočaj-Jerković, dirigjente dhe kënduese kroate e specializuan në drejtimin koral, fituese çmimesh në aktivitete ndërkombëtare edhe në anën tjetër të oqeanit, përfaqësuese kroate e World Choir Council (Këshillit Botëror të Koreve); Prof. Dr. Csaba Kutnyánszky, teoricien dhe dirigjent hungarez, me aktivitet të spikatur artistik në vende të ndryshme europiane; dirigjenti bullgar Gancho Ganchev me veprimtari artistike në shumë vende evropiane e deri në Kanada; kompozitori dhe dirigjenti italian Lorenzo Donati fitues i shumë çmimeve. /Telegrafi/