Telegrafi

Sukses i BE-së në Lisbonë, marrëveshje për Traktatin Kushtetues

Lajmi u bë i ditur nga presidenca portugeze. "Evropa tani është më e fortë", ka deklaruar, kryeministri portugez dhe presidenti i radhës së Këshillit të Evropës, Jose Socrates. Para bisedimeve Italia kishte kundërshtuar një shpërndarje të re të vendeve në Parlamentin Evropian, sipas së cilës ajo do të humbiste 6 vende.

Sipas marrëveshjes, Roma humbet vetëm 5 vende dhe do të ketë 73 anëtarë në parlament, njëlloj sa Britania dhe një më pak se Franca. Polonia arriti të sigurojë garancinë që një grup vendesh do të lejohet të shtyjë përkohësisht marrjen e vendimeve të BE-së, siç kishte kërkuar presidenti polak , Lech Kaszynski.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, e vlerësoi vendimin e samitit, si një marrëveshje historike. Po ashtu edhe kancelarja Angela Merkel e vlerësoi marrëveshjen si një sukses të madh.

Dokumenti do të nënshkruhet më 13 dhjetor në Lisbonë, duke zëvendësuar kështu projektkushtetutën e BE-së, që dështoi në vitin 2005. Sot samiti i vazhdon punimet me temën mbi globalizimin dhe krizën në tregun financiar. /Deutsche Welle/