Telegrafi

Sukses historik për ekipin shqiptar, Voska Sport kualifikohet për herë të parë në gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë

Voska Sport ka shkruar një faqe të re të historisë, pasi sot për herë të parë ka siguruar kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë së Veriut.

Ekipi shqiptar nga Ohri që këtë sezon është debutues në elitën e futbollit vendor, ka bërë një hap të rëndësishëm edhe në garën tjetër, ku në fazën çerekfinale të Kupës eliminoi Bregallnicën e Shtipit dhe mori biletën për në gjysmëfinale.

Voska Sport triumfoi në qytetin e Shtipit falë një goli të sulmuesit Alen Jasharovskit të realizuar në minutën e 70-të, teksa nga minuta e 49-të ekipi shqiptar luajti me një futbollist më pak në fushë, pasi me karton të kuq u përjashtua nga loja, Novak.

Në gjysmëfinale të Kupës u kualifikuan edhe Makedonija Gjorçe Petrovi dhe Tikveshi.

Ndërkohë ndeshja ndërmjet Rabotniçkit dhe Shkupi që ishte në program ditën e sotme nuk u zhvillua për shkak të kushteve të këqija në stadiumin “Boris Trajkovski”, përderisa e njëjta është vendosur të luhet nesër në stadiumin “Petar Millshovski” pranë FFM-së, duke nisur nga ora 13:00. /Telegrafi/