Site icon Telegrafi

Suficiti buxhetor 113.5 milionë euro

Të hyrat e mbledhura në kufi vazhdojnë të jenë burimi kryesor i të hyrave buxhetore, të cilat deri në shtator 2010 arritën vlerën prej 507.9 milionë euro ose 56.5 për qind e gjithsej të hyrave. Të hyrat e mbledhura në kufi shënuan rritje vjetore prej 12.2 për qind, që mund t’i atribuohet rritjes së importeve, raporton Zëri..

Në kuadër të tatimeve të mbledhura në kufi, TVSH në kufi përbën kategorinë më të madhe (51.6 për qind), e cila deri në shtator 2010 arriti vlerën prej 262.2 milionë euro dhe shënoi rritje vjetore prej 15 për qind. Po ashtu, akciza në kufi (përfshirë edhe akcizën në duhan) arriti vlerën prej 169 milionë euro me normë të rritjes vjetore prej 10.5 për qind.

Ndërsa të hyrat nga tatimet vendore deri në shtator 2010, shënuan vlerën prej 158.7 milionë euro dhe shënuan rritje vjetore prej 14 për qind. Prej të hyrave nga tatimet vendore, TVSH paraqet kategorinë dominuese me pjesëmarrje prej 43 për qind, e cila deri në shtator 2010 arriti vlerën prej 68.2 milionë euro dhe shënoi rritje prej 42.4 për qind. /Telegrafi/

Exit mobile version