Telegrafi

Suedia mposht Meksikën dhe kualifikohet nga pozita e parë

(Foto: Getty Images)

Suedia e ka siguruar pjesëmarrjen në të tetën e finales së Kampionatit Botëror duke mposhtur Meksikën me rezultat 3-0.

Skandinavët luajtën më mirë në gjysmën e parë duke krijuar më shumë raste, ndërsa Marcus Berg i pati mundësitë më të mira.

Rezultati u zhbllokua në minutën e 50-të, kur Ludwig Augustinsson ishte në vendin e duhur në kohën e duhur për ta shfrytëzuar një top të Viktor Claesson në rrjetë një top të kthyer.

Goli i dytë i suedezëve u shënua nga pika e bardhë. Realizues ishte Andreas Granqvist, i cili u tregua i saktë në ekzekutimin e penalltisë (62′).

Për të qenë të sigurt në kualifikimin e mëtutjeshëm, lojtarët e ekipit evropian e shënuan edhe golin e tretë që në fakt ishte autogol i Edson Alvarez (74′).

Me këtë triumf, Suedia siguroi vendin e parë në Grupin F, me pikë të barabarta me Meksikën.

Në 1/8 e finales, skandinavët do të luajnë ndaj skuadrës që do të pozicionohet në vend të dytë në Grupin E. Në garë për kualifikim në atë grup janë Zvicra, Brazili dhe Serbia.

Nga vendi i dytë në Grupin F është kualifikuar Meksika, duke qenë se Koreja e Jugut e mposhti Gjermaninë duke e eliminuar nga Kampionati Botëror. /Telegrafi/