Kosova do të luaj ndeshje miqësore në fillim të vitit 2020, ku përballë do të jetë Suedia.
Ka qenë Federata e Futbollit të Kosovës që ka konfirmuar lajmin për ndeshjen e radhës miqësore.
FFK e ka konfirmuar se ndeshja do të luhet në kryeqytetin e Katarit, Doha. Ky takim është konfirmuar se do të zhvillohet më 12 janar të vitit 2020.
Nga ana tjetër, Suedia përveç se me Kosovën, do të përballet edhe me Moldavinë në kuadër të miqësoreve përgatitore.
Suedia tashmë e ka bërë edhe listën e futbollistëve të ftuar për këto dy ndeshje, derisa shihet mungesa e futbollistit të Manchester Unitedit, Victor Lindelof.
Shumë nga lojtarët e ftuar janë nga kampionati vendas, ku shumë prej tyre do të vlerësohen.
Ndryshe, shtëpia më e madhe e futbollit kosovar ka paralajmëruar një konferencë ditën e martë (10,12,2019) për të treguar detaje të tjera rreth kësaj ndeshje miqësore.
Kjo ndeshje do t’i ndihmojë përzgjedhësit Bernard Challandes ta përgatitë ekipin para takimit më të rëndësishëm në historinë e futbollit kosovar ku në mars do të luhet gjysmëfinalja e Divizionit D ndaj Maqedonisë së Veriut. /Telegrafi/