Një suedez është ndaluar në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit, pasi iu gjetën 19 pistoleta me vete teksa po tentonte të linte kufirin drejt Malit të Zi.
Krahas masave për përballimin e fluksit, krijimin e lehtësirave ligjore me qëllim shmangien e radhëve dhe ofrimin e një shërbimi sa më cilësor e në kohë për turistët dhe gjithë pushuesit që vijnë në Shqipëri për sezonin veror, shërbimet e Policisë Kufitare Muriqan kanë rritur edhe kontrollin në drejtim të parandalimit dhe goditjes së paligjshmërisë, kryesisht trafiqeve të paligjshme që mund të kryhen duke përfituar nga fluksi i madh.
Si rezultat i shtimit të kontrolleve duke përdorur edhe qentë antidrogë dhe antieksplozivë është bërë e mundur që të konstatohet dhe goditet një rast i trafikimit të armëve të zjarrit.
“Shërbimet e Policisë Kufitare në PKK Muriqan, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Sebastian Vall, 21 vjeç, banues në Suedi. Në PKK Muriqan në dalje gjatë kontrollit të detajuar në vijën e dytë, në çantën e 21 – vjeçarit suedez, i cili udhëtonte si pasagjer në autobusin e linjës Kosovë -Gjermani, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 19 armë zjarri tip ‘pistoletë’, kalibër 7.65. Veprimet po vijojnë nga Specialistët e Departamentit të Policisë Kriminale dhe të Policisë Shkodër për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti të trafikut të armëve”, njofton policia e Shkodrës.
Materialet do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”.