Telegrafi

Suedezi Christian Dmitrievsky i ndihmuar nga diplomati Yevgeny Umerenko kishte spiunuar në favor të Rusisë

Christian Dmitrievsky nga Prokuroria e Suedisë akuzohet për spiunazh në favor të Rusisë.

Në muajin shkurt 2019, Dimitrievsky ishte arrestuar në flagrancë nga organet e sigurisë, gjatë takimit me oficerin e Shërbimit të Jashtëm rus të Inteligjencës (SVR), Yevgeny Umerenko që në Suedi vepronte nën mbulesën diplomatike.

Dimitrievsky ishte rekrutuar dhe punonte për SVR-në ruse që nga viti 2017, duke siguruar informacione sekrete që kishin të bënin me aktivitetet e kompanive të mirënjohura suedeze Volvo dhe Scania. Ai punonte si konsulent në Volvo Cars në Geteburg dhe Scania CV në Sodertalje.

Vlen të ceket se Christian Dmitrievsky është suedez i natyralizuar dhe së më herët para se të martohej me shtetase suedeze kishte shtetësi ruse.

Diplomati rus Yevgeny Umerenko, i shpallur i padëshiruar në Suedi

Kur kishte ndodhur rasti, policia suedeze gjatë arrestimit të Christian Dmitrievsky kishte arrestuar edhe “diplomati” rus Yevgeny Umerenko, por për shkak të pasaportës diplomatike ishte lënë i lirë.

Bazuar në informacionet e Shërbimit suedez të Sigurisë (Säkerhetspolisen), thuhet se ai kishte kryer aktivitete spiunazhi në vend dhe ka gjasa që të jetë kreu i rezidencës së SVR-së në Suedi.

Pas kësaj me 13 mars 2019, Ministria suedeze e Punëve të Jashtme e kishte shpallur Yevgeny Umerenkon person i padëshiruar dhe kishte kërkuar që të lëshoj territorin e Suedisë. /Telegrafi/

Njoftimi i Ambasadës ruse që Yevgeny Umerenko ka lëshuar territorin e Suedisë